Tirana Bank dhe IFC bashkëpunojnë për të mbështetur bizneset shqiptare përmes financimit të aktivitetit tregtar.

Tirana Bank i bashkohet Programit Global të Financimit të Tregtisë (Global Trade Finance Program - GTFP) të IFC-së, më 27 Prill 2026, duke demonstruar angazhimin e përbashkët të institucioneve për nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri. GTFP mbështet bankat lokale në zgjerimin e financimit për tregtinë ndërkombëtare duke ofruar garanci për rrezikun e pagesave dhe menaxhimin e rreziqeve të transaksioneve.

Në kuadër të këtij partneriteti, IFC do t’i ofrojë Tirana Bank një linjë garancie për financimin e tregtisë në vlerën 5 milionë dollarë amerikanë, duke i mundësuar bankës të financojë më shumë importe dhe eksporte, të zgjerojë bashkëpunimin me banka ndërkombëtare dhe të mbështesë bizneset shqiptare në aksesimin e tregjeve të reja globale.

Marrëveshja u nënshkrua nga Znj. Edlira Muka, Drejtoreshë e Përgjithshme Ekzekutive e BALFIN Group, dhe në emër të IFC nga Wiebke Schloemer, Drejtuese e IFC për Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin e Jugut. Përmes këtij bashkëpunimi, Tirana Bank do të ofrojë produkte të përmirësuara të financimit të tregtisë për klientët e saj korporatë dhe bizneset e vogla, duke i ndihmuar ata të rrisin konkurrueshmërinë dhe të integrohen më mirë në rrjetet rajonalë dhe ndërkombëtarë të furnizimit.

Kjo linjë e re do t’i mundësojë Tirana Bank të emetojë instrumente të financimit të tregtisë, si letra kredie, garanci dhe produkte të tjera të lidhura me tregtinë, duke mundësuar transaksione më të sigurta dhe më efikase për bizneset shqiptare të angazhuara në tregtinë ndërkombëtare.

Deklaratë e Znj. Elvira Kapoli, Drejtuese e Divizionit të Financës, Tirana Bank:

“Jemi krenarë që zgjerojmë partneritetin tonë me një nga institucionet financiare më të respektuara në botë. Kjo marrëveshje me IFC-në përforcon strategjinë e Tirana Bank për rritje të qëndrueshme dhe inovacion në tregun shqiptar. Ky partneritet do të mbështesë drejtpërdrejt bizneset në zgjerimin e aktivitetit të tyre ndërkombëtar, duke u ofruar akses në instrumente financiare që nxisin tregtinë, rrisin likuiditetin dhe forcojnë konkurrueshmërinë e tyre. Pas vlerësimit si “Banka më e Mirë” dhe “Banka e Vitit”, respektivisht nga Euromoney dhe The Banker në vitin 2025, ky hap përfaqëson edhe një herë përkushtimin tonë për fuqizimin e klientëve dhe kontributin në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.”

“Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e ekosistemit të tregtisë në Shqipëri dhe në mbështetjen e rritjes së sektorit privat,” u shpreh Wiebke Schloemer, Drejtuese e IFC për Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin e Jugut. “Përmes Programit tonë Global të Financimit të Tregtisë, ne do të ndihmojmë Tirana Bank të zgjerojë aksesin në financimin e tregtisë për kompanitë vendase, duke u mundësuar atyre të rriten, të krijojnë vende pune dhe të integrohen më mirë në tregjet rajonale dhe globale.”

Ky moment shënon një tjetër hap të rëndësishëm në drejtimin strategjik të Tirana Bank për ndërtimin e partneriteteve të forta me institucione financiare ndërkombëtare lider. Përmes këtyre aleancave, Tirana Bank vazhdon të ofrojë zgjidhje financiare që mbështesin potencialin afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Rreth IFC

IFC – anëtare e Grupit të Bankës Botërore – është institucioni më i madh global i zhvillimit i fokusuar në sektorin privat në tregjet në zhvillim. IFC vepron në më shumë se 100 vende, duke përdorur kapitalin, ekspertizën dhe ndikimin e saj për të krijuar tregje dhe mundësi në vendet në zhvillim. Në vitin fiskal 2025, IFC angazhoi një rekord prej 71.7 miliardë dollarësh amerikanë për kompani private dhe institucione financiare në vendet në zhvillim, duke mobilizuar kapital privat për të krijuar një botë pa varfëri në një planet të qëndrueshëm. Për më shumë informacion, vizitoni www.ifc.org.

Rreth Tirana Bank

Tirana Bank është një nga institucionet financiare më dinamike në Shqipëri dhe pjesë e Grupit BALFIN, një nga grupet më të mëdha dhe më të diversifikuara të investimeve në rajon. Banka ofron një gamë të plotë shërbimesh bankare për klientët individualë, SME-të dhe korporatat, dhe njihet për performancën e saj të fortë financiare dhe inovacionin e orientuar drejt klientit. Në vitin 2025, Tirana Bank u vlerësua “Banka më e Mirë në Shqipëri” nga Euromoney dhe “Banka e Vitit” nga The Banker (pjesë e Financial Times), duke konfirmuar pozicionin e saj si një partner financiar i besueshëm dhe i orientuar drejt së ardhmes.